Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll ka nisur përgatitjet për ndeshjen e “play-off” kundër Italisë, e vlefshme për Botërorin e këtij viti që do të mbahet në Katar.
Një ndër futbollistët më të mirë te përfaqësuesja e vendit, Enis Bardhi, thotë se në futboll nuk ka favorit, ndërsa ashtu do të jetë edhe të enjten kundër Italisë në Palermo.
Sipas futbollistit të Levantes, e rëndësishme është që skuadra të jetë e fokusuar në çdo moment të ndeshjes.
“Të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është për ne dhe sa e vështirë do të jetë ndeshja për ne. Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të fokusuar në çdo moment të ndeshjes. Në futbollin e sotëm favoritët nuk fitojnë gjithmonë, mund të kenë edhe ata një ditë të keqe. Nga ana tjetër, ne kemi treguar se mund t’i mposhtim të gjithë. Mendoj se detajet do të vendosin, çdo sekondë dhe çdo top është i rëndësishëm për ne. Duhet të përgatitemi edhe psikologjikisht ndaj Italisë” – është shprehur Enis Bardhi.
Ndeshja midis Italisë dhe Maqedonisë në program është të enjten (24 mars) me fillim në ora 20:45. (infOSport.mk)