Trajneri i Kombëtares së Italisë, Roberto Mançini ka folur para mediave, në prag të sfidës së “play off” ndaj Maqedonisë së Veriut, e vlefshme për Botërorin e këtij viti që për herë të parë në histori të futbollit do të mbahet në Katar.
Mançini tha se ai dëshiron të fitojë Botërorin, por fillimisht duhet të fitojë dy ndeshjet e ardhshme, për të siguruar pjesëmarrjen.
Gjithashtu ai u shpreh se Italia e tij nuk e fitoi rastësisht Europianin.
“Jam përpjekur të marr lojtarët që mund të jenë më të dobishëm. Nuk kemi shumë hapësirë për të provuar gjëra të reja. Baza ishte ajo e lojtarëve që erdhën në Kampionatin Evropian, përveç Bernardeskit i cili nuk ishte shumë mirë ose dikush tjetër ngeli jashtë por unë nuk munda të sillja 40” – tha fillimisht Roberto Mançini, i cili foli edhe për ndeshjen me Maqedoninë, mirëpo duke mos i dhënë edhe aq shumë rëndësi, pasi i njëjti menjëherë foli edhe për ndeshjen finale që e pret 4 ditë më vonë.
“Nuk e marrim si të mirëqenë ndeshjen e parë (e ka fjalën për ndeshjen me Maqedoninë) nuk do të jetë e lehtë, pastaj përfundimisht do të ketë edhe 4 ditë të tjera për të përgatitur të dytën”, duke aluduar në ndeshjen finale, ku do të pret fituesin nga përballja Portugali-Turqi.
Mançini madje shkoi shumë larg, duke kërkuar për të fituar edhe Botërorin.
“Qëllimi ynë është të fitojmë Kupën e Botës dhe për t’ia dalë duhet të fitojmë këto dy ndeshje. Ne duam të shkojmë në Kupën e Botës për ta fituar atë. Ne fillojmë nga një bazë solide, me kënaqësi do të kishim bërë më pak se këto ndeshje, por djemtë po bëjnë mirë, kjo është një bazë e rëndësishme. Në sulm kemi sjellë sulmues të llojeve të ndryshme për këto dy ndeshje” – përfundoi Mançini.
Ndeshja Itali-Maqedoni në program është me datë 24 mars, dhe e njëjta do të zhvillohet në Palermo, ndërsa fituesi i kësaj përballje me 29 mars në Lisbonë do të përballet me fituesin nga përballja tjetër gjysmëfinale e “play-off”, Portugali-Turqi. (infOSport.mk)