Besart Ibraimi e mbyll me Ksantin, gati të rikthehet në futbollin vendor!

Besart Ibraimi  në fund të këtij sezoni do ta përfundojë kontratën me Ksantin, ndërsa siç mëson “infOSport.mk”, palët kanë vendosur të mos e zgjasin bashkëpunimin edhe për një vit tjetër.

Klubi helen ka dështuar të jetë pjesë e elitës për sezonin e ardhshëm, prandaj është parë e udhës që të dyja palët të ndajnë rrugët.

Ibraimi është një sulmues rekordmen, teksa është lojtari që ka shënuar më së shumti gola në gjithë historinë e futbollit në vendin tonë, ndërsa gjithashtu mban edhe epitetin e golashënuesit më të mirë te Shkëndija, nga e cila skuadër gushtin e vitit 2021 ishte transferuar te Ksanti.

Sulmuesit kërçovar nuk i mungon aspak eksperienca, pasi mbart me vete një CV të pasur edhe në kampionatet europiane, duke luajtur me Shalken në Gjermani, Sevastopolin, Tavrian dhe Metalurg Zaporizhia në Ukrainë, si dhe me dy skuadrat qipriote të Enozis dhe Ermis.

Me të mësuar për mos vazhdimin e kontratës me Ksantin, për Ibraimin menjëherë kishin shfaqur interes disa skuadra greke dhe qipriote, mirëpo vetë sulmuesi kërçovar dëshiron të jetë më pranë familjes së tij, ashtu që me shumë gjasa mund ta shohim sërish në futbollin vendor, duke mos përjashtuara këtu edhe futbollin shqiptarë dhe atë kosovar.

35-vjeçari Ibraimi me Ksantin zhvilloi gjithsej 16 ndeshjes mes kampionatit dhe Kupës, duke realizuar 6 gola. (infOSport.mk)

Leave a Reply