Shkëndija shumë shpejtë ka harruar disfatën e javës së kaluar ndaj Rabotniçkit, duke u rikthyer tek fitorja përballë Tikveshit.
Megjithëse “kuqezinjtë” e dominuan ndeshjen gjatë gjithë 90 minutave, fitorja erdhi me një gol të shënuar vetëm në minutën e fundit të takimit.
Kapiteni Ferhan Hasani pas ndeshjes theksoi se kundërshtari e barazoi rezultatin me një rast të vetëm, por skuadra kuqezi tregoi karakter dhe arriti që në fund të kthejë epërsinë 2:1, falë golit të shënuar nga Valmir Nafiu.
“Mendoj se dominuam ndeshjen gjatë gjithë 90 minutave. Kundërshtari me një rast të vetëm barazoi rezultatin, por ne treguam karakter dhe e kthyem epërsinë në 2:1. Duhet të jemi më të kujdesshëm në goditjet standarde dhe në defanzivë. Ka qenë pak e vështirë kjo ndeshje sepse kemi ardhur pas disa rezultateve negative. Kemi qenë nën presion, por kjo fitore do të na ndihmojë për ndeshjet e ardhshme. Duhet të shikojmë përpara, por unë jam i lumtur me fitoren pasi që do të na ndihmojë për ndeshjet e radhës” – u shpreh fillimisht Hasani, i cili foli edhe për shanset e Shkëndijës rreth titullit kampion. Kapiteni i “kuqezinjëve” si duket është dorëzuar në këtë drejtim, pasi i njëjti theksoi se Shkëndija në vazhdim do të luftonte që të kapte një seri më të gjatë të fitoreve.
“Përderisa ka shpresë edhe më tej në kampionat, ne do të luftojmë që të kemi seri më të gjatë të fitoreve. Në këtë ndeshje erdhëm pas një rezultati negativ ndaj Rabotniçkit, edhe pse mendoj se në atë ndeshje luajtëm mjaft mirë. Kemi probleme në realizimin e rasteve, por shpresoj që të përmirësohemi në të ardhmen. Edhe sot patëm shumë raste, ndërsa kundërshtari barazoi me vetëm një goditje, por ne pastaj treguam karakter. Kjo do të na jep motiv shtesë. Kemi edhe një ndeshje para pauzës dy javore, aty duhet t’i marrim tre pikët e pastaj të shkojmë në pauzë duke menduar për ndeshjet e radhës” – përfundoi Hasani.
Shkëndija pas 23 xhirove renditet në pozitën e tretë me 44 pikë, një më pak se Akademia Pandev e vendit të dytë dhe plotë 11 më pak se lideri aktual, FC Shkupi. (infOSport.mk)