Makedonija GJ.P dhe Skopje ndahen në barazim, vendosin golat e futbollistëve shqiptarë (VIDEO)

Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit pas 6 fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, është ndalur në shtëpi nga Skopje, duke humbur hapin me Akademia Pandevin dhe Shkëndijën në garën për pozitat 2 dhe 3, njofton “infOSport.mk”.

Makedonija Gj.P dhe Skopje barazuan 1:1, në një ndeshje ku vendosën golat e futbollistëve shqiptarë.

Vetëm pas 2 minutave lojë, Bujar Hajdari me të majtën e tij shënoi një eurogol në rrjetën e Stevkovskit. Ishte ky goli  i parë në ndeshjen e tij të parë si titullarë për sulmuesin e talentuar shqiptarë, i cili te skuadra nga lagjja e Autokomandës erdhi nga rradhët e Rabotniçkit.

Megjithatë kundërpërgjigjja e vendasve erdhi shumë shpejtë, kur pas një ekzekutimi të shkëlqyer të goditjes së dënimit të Sefer Eminit, përfitoi Arbi Vosha, i cili topin e devijuar të portierit Efremov e vendosi në rrjetë për barazim të rezultatit në 1:1.

Edhe pse në ato momente zhvillohej vetëm minuta  e 16-të, ky rezultat doli të jetë edhe përfundimtarë, pasi të dyja skuadrat deri në fund të takimit nuk arritën të shënojnë asnjë gol tjetër.

Makedonija Gj.P pas këtij barazimi vazhdon të qëndrojë në pozitën e katërt, mirëpo tashmë me 40 pikë, 4 më pak se Shkëndija e vendit të tretë dhe 5 më pak se Akademia Pandev e vendit të dytë. Në anën tjetër Skopje vazhdon të mbetet pjesë e zonës së rrezikshme, ashtu që deri në mbyllje të sezonit, kjo skuadër do të luftojë për mbijetesë. (infOSport.mk)

Leave a Reply