E bukur kur institucioni Komunë ‘mundohet’ të respektojë mes tjerash gjithë ata sportistë që janë dalluar me rezultatet e tyre gjatë vitit të kaluar, por nuk është se duhet “shpikje” për të vënë në si frymëzim në krah të gjithë atyre të rinjëve edhe disa tetovarë që gjatë vitit të kaluar ishin pjesë e Kampionatit Europian të futbollit “EURO 2020”.
Vend i determinuar për të bërë gjërat në mënyrë gjysmake. Fatkeqësisht shkon pranë nivelit për të thënë pa përjashtim. Kritiko paraardhësit për veprime të selektuara, për të përsëritur të njejtat në momentin që marrin pozitën aq të dëshiruar e me premtime nga më të ndryshmet.
Të enjten u kremtua “3 Marsi, dita e komunës së Tetovës”! “Në një seancë solemne u ndanë mirënjohje për personalitete të shquara nga sfera të ndryshme të shoqërisë, të cilët kontribuan në zhvillimin dhe afirmimin e qytetit të Tetovës dhe të cilët me punën dhe mundin e tyre i kanë lënë gjurmë në Tetovë dhe në zhvillimin e saj”, do të shkruanin në emër të kryetarit Bilall Kasami, administratorët e faqes zyrtare të facebookut të Komunës së Tetovës.
E bukur për të parë aq njerëz të nderuar me mirënjohje, por nuk ka si mos të bjerë në sy edhe pjesa e lëshimeve që s’duhej bërë. Gjatë ditës së djeshme pati disa reagime publike në rrjetet sociale, por ky tekst dëshiron të vë në plan të parë anashkalimin e diçkaje vërtetë të madhe e që nuk është se ka ndodhur më parë apo se kemi ndonjë garanci se do të përsëritet.
Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë së Veriut verën e shkuar ishte pjesë e Kampionatit Europian “EURO 2020” dhe fatmirësisht protagonistë kishim edhe shqiptarë e tetovarë. Kapiteni i Shkëndijës së Tetovës, Egzon Bejtullai pas europianit për të rinjë të vitit 2017, shënoi një tjetër arritje historike duke u bërë i pari nga ky rajon që debuton në Kampionat Europian (luajti në takimin Austri-Maqedoni e Veriut. Ferhan Hasani, një tjetër futbollist i shquar tetovar ishte gjithashtu pjesë e Maqedonisë dhe Komunës do t’i qëndronin me shumë krenari në zyra fotografitë e tij përkrah yjeve të Holandës. Ndërkohë po në këtë Europian, Media Officer (shef i zyrës së medias, marketingut dhe Marrëdhie me Publikun) i përfaqësueses së vendit ishte Faton Zylbehari. Mos harrojmë edhe Xhengis Rexhepin, zëvendës seleksionues i ekipit përfaqësues që ishte njashtu pjesë e “EURO 2020”!
Po në Marsin festiv të Komunës së Tetovës, përfaqësuesja e futbollit për herë të parë në histori do të luajë në balotazh për kualifikim në Kampionatin Botëror “Qatar 2022”, kur do përballet me kampionen e Europës, Italinë. Po, balotazh i siguruar me disa emra tjerë brenda suksesit, Skender Jonuzi, ndihmës seleksionues, e futbollistët Valon Et’hemi (shkëlqen në Turqi me Istanbulsporin) dhe Ennur Totre (lider në Shqipëri me Tiranën)! Edhe këta munguan në kremtimin e ditës së Komunës së Tetovës.
Veprim që s’duhej të ndodh e që sjell habi të madhe dhe dyshim nëse bëhet fjalë për lëshim, mungesë e dijes, tendencë apo “dehje” nga gjërat e vogla (respekt për çdo sportist dhe arritje të tyre) e nuk shihen të mëdhat?! Gjithsesi, cilado që nga këto të jetë e vërteta, Komuna dhe “ekspertët” që bënë listat mbeten të pa “amnestuar”./Nistori/