FC Shkupi, nesër në stadiumin e Çairit në kuadër të xhiros së 21-të në Ligën e Parë do të mirëpret skuadrën e Tikveshit.
Do të jetë kjo përballja e tretë mes këtyre dy skuadrave gjatë këtij edicioni, kjo pasi të dyjat u takuan edhe në kuadër të Kupës. Që në të dyja përballjet, FC Shkupi kishte triumfuar me rezultatin minimal 1:0, ndërsa një fitore tjetër pa marrë parasysh rezultatin, do të ishte e mirëseardhur për skuadrën nga Çairi, që këtë vit pretendon titullin e kampionit.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, të gjitha janë finale. Vitin e ri, e filluam me fitore dhe duhet të vazhdojmë të fitojmë deri në fund. Unë dhe të gjithë lojtarët tjerë të ri, po adaptohemi shpejtë, po ushtrojmë dhe po përgatitemi maksimalisht gjatë gjithë kohës. Ne duam që të bëhemi kampionë, duke i fituar të gjitha ndeshjet edhe pse të gjitha skuadrat do të luftojnë që të na ndalojnë, pra, nuk do ta kemi të lehtë, por do të punojmë gjatë gjithë kohës që në fund të festojmë”, – tha Gagi Margvelashvili para ndeshjes me Tikveshin.
Ndeshja Shkupi – Tikvesh, do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 14:00, pa praninë e publikut.