Makedonija GJ.P të dielën në Tetovë mundi Renovën me rezultat minimal 1:0, duke parakaluar këtë skuadër në renditje, njofton “infOSport.mk”.
Makedonija GJ.P pas 20 xhirove të para numëron 33 pikë dhe mban vendin e katërt, ndërkohë Renova me 3 më pak renditet në pozitën e 5-të.
Takimi i së dielës ishte i 10-ti në kampionat që Makedonija GJ.P udhëhiqej nga Muharem Bajrami, që me 18 tetor kishte zëvendësuar Aleksandar Tanevskin.
Fitorja ndaj Renovës për Bajramin në krye të Makedonija GJ.P ishte e 7-ta dhe e para përballë profesorit të tij, Qatip Osmani.
Kujtojmë Qato për një kohë ka qenë trajner i Muharem Bajramit, kur ky i fundit luante te Renova, por së fundmi edhe te FC Shkupi.
Si duket nxënësi po del më i mirë se profesori, edhe pse ishte kjo vetëm përballja e parë mes këtyre dy trajnerëve të respektuar shqiptarë në kampionatin tonë vendor.
Me Bajramin, Makedonija GJ.P është rilindur, pasi nën drejtimin e strategut shkupjan, në 10 ndeshje ka regjistruar 7 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë, ndërsa në anën tjetër Qato me Renovën e tij në 10 përballjet e fundit kampionale ka regjistruar vetëm 2 fitore, 3 barazime dhe 5 disfata. Megjithatë këto janë vetëm pjesë e statistikave momentale, pasi deri në fund ka edhe shumë ndeshje për tu zhvilluar dhe mbetet të shihet se si do rrjedhin gjërat dhe nëse ndonjëri prej tyre do të arrijë që të prek Europën.
Gara është e hapur për të dyja skuadrat, me Makedonija GJ.P, që opcion ka edhe Kupën ku do të luaj në gjysmëfinale. (infOSport.mk)