Ish sulmuesi i Shkëndijës, Marjan Radeski na ka kujtuar në kohët e tij më të mira në takimin e sotëm të zhvilluar me fanellën e FC Shkupit përballë Rabotniçkit. Sulmuesi i përfaqësueses së Maqedonisë që ishte pjesë e Europianit historik të vitit të kaluar, në një ndër ndeshjet më të vështira të FC Shkupit kreu detyrën në mënyrën më të mirë, duke shënuar golin e vetëm dhe të fitores, shkruan “infOSport.mk”.
Radeski në minutën e 67-të pasi pranoi një top para zonës kundërshtare nga ana e Adentunxhit, për mrrekulli krijoi hapësirën e duhur për të goditur, duke e bërë një gjë të tillë në mënyrë perfekte, për ta mposhtur portierin kundërshtarë, Burhan Mustafa.
Ishte ky vetëm goli i tretë i realizuar këtë edicion me fanellën e FC Shkupit, mirëpo i njëjti i realizuar në një ndeshje mjaft të rëndësishme, që mund të shtyej skuadrën nga Çairi drejt titullit kampion.
Pas 20 xhirove, FC Shkupi vazhdon të mbajë pozitën e parë në tabelën e klasifikimit me 48 pikë, 8 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë. (infOSport.mk)