Eurogoli i Bosançiç përballë Bregallnicës (VIDEO)

1:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i takimit të javës së 20-të midis Struga Trim Lum dhe Bregallnicës i zhvilluar në qytetin e bukur të Strugës, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, ndërsa pikërisht në momentet më të mira të skuadrës vendase, kur Struga Trim Lum kërkonte golin e epërsisë, Bregallnica përmes një kundërsulmi me anë të Martin Stojanov shënoi golin e epërsisë.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 59-të, ndërsa Struga Trim Lum golin e barazimit pas shumë tentativave e gjeti në minutën e 84-të.

Pikërisht në këtë minutë ndodhi edhe momenti më i bukur i ndeshjes, pasi Nemanja Bosançiç nga gjuajtja e lirë lëshoi një predhë të vërtetë që u ndal lartë në këndin e djathtë të portierit Denkovski.

GOLI I NEMANJA BOSANÇIÇ

Bosançiç në minutat shtesë të takimit ishte shumë  pranë për të shënuar edhe golin e dytë dhe të fitores për Struga Trim Lum, mirëpo goditja e tij brenda zonës kundërshtare nga koka e njërit prej mbrojtësve të Bregallnicës u devijua në rivënie nga këndi.

Në këtë takim ndodhi edhe një episod i padëshiruar, kur Tome Kitanovski pësoi një lëndim të rëndë, me ç’rast ishte i detyruar që të largohet me ambulancë drejt spitalit të qytetit.

Pas këtij barazimi, Struga Trim Lum vazhdon të qëndrojë në pozitën e 7-të, tashmë me 27 pikë, dy më shumë se Rabotniçki i vendit të 8-të dhe 3 më pak se Bregallnica që renditet në pozitën e 6-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply