Omar Imeri: Ndeshjet do ti fitojmë një nga një dhe në fund ne do jemi kampionët

FC Shkupi stinorin pranveror do ta nis me derbin si vendas përballë Akademia Pandevit, që pjesën e parë të sezonit 2021/2022 e mbylli në pozitën e dytë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Çairi pas 18 xhirove të para kishte tubuar 42 pikë, 7 më shumë se Akademia Pandevi i vendit të dytë, që në Shkup vjen për tu hakmarrë, pas asaj disfate 3:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Strumicë.

Në prag të këtij super takimi, nga tabori i FC Shkupit ka folur Omar Imeri, një ndër emrat e ri që gjatë merkatos së janarit iu bashkua skuadrës së Goce Sedlloskit.

Ai në intervistën e dhënë për faqen zyrtare të klubit nga Çairi, kishte thënë se i ka munguar stadiumi dhe kënga e Shvercerave, me të cilët në fund shpreson ta festojnë titullin kampion.

“Më ka munguar shumë të luaj në Çair dhe ti dëgjoj ‘Shvercerat’ duke kënduar sepse ishin dhe mbetën lojtari jonë i 12-të. Kësaj rradhe do të luajmë pa publikë, por tifozët tanë do të jenë jashtë stadiumit për të na përkrahur dhe kjo është fantastike. Jemi optimist se gjysmësezonin do ta fillojmë me fitore nesër dhe do të vazhdojmë të mbetemi në kreun e tabelës. Ndeshjet do ti fitojmë një nga një dhe në fund, ne do të jemi kampionët”, – është shprehur Omar Imeri  para ndeshjes kundër Akademia Pandev.

Ndeshja midis FC Shkupit dhe Akademia Pandevit starton në ora 14:00, ndërsa e njëjta do të luhet pa tifoz. Kujtojmë Komisioni Disciplinor pranë FFM-së, për shkak ndodhive në super duelin FC Shkupi – Shkëndija që u zhvillua me 8 dhjetor në stadiumin e Çairit, kishte caktuar një gjobë në vlerë prej 5.000 eurove për FC Shkupin, skuadër kjo që gjithashtu është e obliguar që dy ndeshjet e para të stinorit pranveror si vendas kundër Ak.Pandevit dhe Tikveshit ti zhvillojë pa praninë e publikut. (infOSport.mk)

Leave a Reply