Me ndeshjen ndërmjet Bregallnicës dhe Renovës, të shtunën edhe zyrtarisht nisi stinori pranveror në elitën e futbollit vendor, sezoni 2021/2022, ku pas shumë vitesh në garë për titullin e kampionit është edhe skuadra nga Çairi, FC Shkupi, njofton “infOSport.mk”.
Pikërisht në këtë lagje të Shkupit sot do të përqëndrohet vëmendja, pasi mejdanin do të ndajnë dy skuadrat që treguan më së shumti në stinorin vjeshtorë, FC Shkupi dhe Akademia Pandevi.
Skuadra e Goce Sedlloskit nuk njeh disfatë në ndeshjet si vendas, ku ka regjistruar 8 fitore dhe vetëm një barazim nga gjithsej 9 ndeshje të zhvilluara. Skuadra e vetme që ka marrë pikë në Çair, është Shkëndija, skuadër kjo që do të ketë një detyrë të vështirë në Tetovë përballë Struga Trim Lum.
Pikërisht këta të fundit eliminuan “kuqezinjtë” në çerekfinale të Kupës këtë edicion, ndërsa gjithashtu vlen të theksohet se Struga Trim Lum nuk njeh disfatë përballë Shkëndijës në tre ndeshjet e fundit kampionale.
NDESHJET TJERA – Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit do të jetë nikoqir i Tikveshit, Pelisteri në Manastir do të përballet me Rabotniçkin, skuadër kjo që në merkaton e janarit është përforcuar dukshëm, ndërsa pikërisht ndeshja e sotme do të jetë një mundësi e mirë për të parë nëse kjo skuadër ka bërë transferimet e duhura dhe në pranverë do luajnë shumë më ndryshe nga pjesa e parë e sezonit, që e mbyllën vetëm në pozitën e 8-të, ndërkohë në ndeshjen e fundit të së dielës, Skopje do të jetë nikoqir i Borecit, dy skuadra këto që deri në fund do të luftojnë për mbijetesë. (infOSport.mk)