Pranverë e bukur paralajmërohet për Renovën e Qatip Osmanit (VIDEO)

Pranverë e bukur në paralajmërim për Renovën e Qatip Osmanit, skuadër kjo që në ndeshjen hapëse të stinorit pranveror mundi Bregallnicën në Shtip, një ndër skuadrat konkurrente për një vend në arenën ndërkombëtare, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga Xhepçishti shënoi fitore 2:1 si mysafir, duke  tejkaluar në tabelën e klasifikimit kundërshtarin e sotëm, Bregallnicën.

Një gafë e portierit Denkovski në minutën e 16-të i mundësoi Mevaln Muratit të gëzohet, por edhe gjithë skuadrës së Renovës, që falë këtij goli në pushim shkoi me epërsinë minimale 1:0.

Pjesa e dytë doli të jetë më e ekuilibruar, me Renovën që në minutën e 52-të shënoi edhe golin e dytë me anë të Viktor Serafimovskit, i cili shfrytëzoi një top të devijuar në zonën kundërshtare dhe me një të djathtë precize, edhe për herë të dytë arriti që të mposhtë portierin e vendasve, Denkovski.

Shpresat e vendasve të Bregallnicës i riktheu sulmuesi serb, Milan Djokiç, mirëpo goli i tij i realizuar në minutën e 59-të, doli të jetë i vetmi i shënuar nga ana e vendasve, që në fund u njoftuan me disfatën e 6-të sezonale.

Në anën tjetër për Renovën ishte kjo fitorja e 8-të, që në 19 javë kampionat ka regjistruar edhe 6 barazime dhe 5 disfata, me ç’rast kjo skuadër me 30 pikë të tubuara renditet në pozitën e katërt, duke lënë pas vetes Bregallnicën me 29 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply