FC Shkupi ka pësuar disfatë minimale 0:1 në miqësoren ndaj rusëve të Fakel Voronezh, njofton “infOSport.mk”.
Doli të jetë kjo një ndeshje shumë e luftuar, në të cilën trajneri Goce Sedlloski i provoi të gjithë futbollistët, përfshirë këtu edhe dy përforcimet e fundit, Gagi Margviashvili dhe Gjorgji Stoilov.
Gjeorgjiani luajti titullarë, ndërsa Stoilov u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, kur edhe FC Shkupi pësoi golin e vetëm në këtë takim.
Autorë i golit për skuadrën e Fakel Voronezh, që shihet si një ndër skuadrat pretendente për tu inkuadruar në Superligën ruse, ishte Anrej Razborov në minutën e 63-të. Ky i fundit përfitoi nga një aksion i filluar që nga portieri Gorodovoj, kur nga brendia e zonës shënoi në rrjetën e Artan Iljazit, që zëvendësoi Kristijan Naumovskin.
Në fund të takimit u krijua një tollovi, pas së cilës arbitri ende pa përfunduar minuta e 90-të, tregoi fundin e takimit.
Ndeshjen e rradhës dhe të fundit në tokën turke, FC Shkupi do ta zhvillojë me 31 janar kundër skuadrës së njohur ruse të Akhmat Grozny. (infOSport.mk)