Ish-trajneri i Beshiktashit, Sergen Yalçin shihet si kandidati më i mundshëm për ta marrë drejtimin e përfaqësueses së Kosovës.
Një gjë të tillë raportojnë mediat turke, sipas të cilave drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kanë zhvilluar bisedime me Yalçinin në Turqi. “Takvim.com.tr” shkruan se shumë shpejtë do të merret edhe vendimi për selektorin e ri të “Dardanëve”.
“Pritet me kuriozitet të mësohet se di do t’i përgjigjet ofertës Yalçin, i cili së fundmi u nda nga Beshiktashi. Thuhet se takimi i krerëve të FFK-së me Ersun Yanal ka qenë mjaft pozitiv. FFK-ja do të marrë vendimin përfundimtar shpejtë dhe me shumë gjasë do të sjellë në krye të skuadrës njërin nga dy trajnerët turq”, shkruan “takvim.com.tr”.
Yalçin sezonin e kaluar me Beshiktashin fitoi titullin dhe kupën e Turqisë. Vlen të theksohet se ditët e fundit ka qarkulluar edhe emri i trajnerit gjerman Feliks Magat, si kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Kosovës. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për sa i përket trajnerit të ri të Kosovës. Janë drejtuesit e FFK-së ata që do të vendosin për “timonierin” e ri që do të zëvendësoje Beranard Shalandin e shkarkuar.
Ndërkohë kujtojmë se Sergen Yalçin në sezonin 1999/2000, emri i tij kishte bërë shumë bujë edhe në futbollin tonë vendor, pasi i njëjti ishte transferuar te skuadra e FC Shkupit, ish Sloga Jugomagnatit.
Atë kohë Sergen Jalçën pasi kishte ndërprerë fillimisht kontratën me Fenerbahçen, ishte vendosur ti bashkohet skuadrës së Siirt Jetpa, mirëpo në marrëveshje kishte klauzolë, sipas së cilës ai nuk mund të kalonte në ndonjë skuadër tjetër turke. Kësisoj ai zgjodhi të transferohet te skuadra “bardheblu” nga Çairi, mirëpo duke mos luajtur asnjë ndeshje ai në fillim të vitit 2000 bëri një transferim të bujshëm te skuadra gjigande e Galatasarajit.
Kështu emri i tij u regjistrua si pjesë e Slloga Jugomagnatit, mirëpo vetëm në letër, ndërsa i njëjti tashmë ka gjasa të marrë drejtimin e përfaqësueses së Kosovës, që do ishte hera e parë në karrierën e tij si trajner, që do të udhëhiqte një ekip përfaqësues.
49-vjeçari deri më tani si trajner, kishte udhëhequr skuadrat e Gaziantep, Sivaspor, Kajserispor, Eskishehirspor, Konjaspor, Alanjaspor, Maltjaspor dhe së fundmi Beshiktash. (infOSport.mk)