FC Shkupi ka shënuar fitore 2:1 përballë skuadrës azere të Sumgayit, që gjithashtu po kryen përgatitjet në Antalia të Turqisë, njofton “infOSport.mk”.
Pas disfatës 4:1 në ndeshjen e parë ndaj ekipi i njohur polak i Leh Poznan, sot të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski ishin shumë më të mirë, madje duke diktuar tempon e lojës thuajse gjatë gjithë takimit.
Golin e parë FC Shkupi e realizoi në minutën e 38-të, ndërsa i njëjti ishte “Copy-Paste” i golit të shënuar ndaj Leh Poznan, e mbi të gjitha me autorë të njëjtë.
Fredy Alvarez harkoi brenda zonës nga gjuajtja e lirë, ndërsa Marjan Radeski nuk fali dhe me kokë shënoi për 1:0.
Ishte ky goli i dytë për Radeskin në kuadër të përgatitjeve në Antalia të Turqisë, me ç’rast ish sulmuesi i Shkëndijës paralajmëron një pranverë shumë më efikase. Njëherit ky gol ishte i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa pas 17 minutave lojë në pjesën e dytë, falë një gabimi trashanik të Konstantin Çeshmexhiev, azerët barazuan shifrat në 1:1.
Megjithatë kjo aspak nuk dëshpëroi futbollistët e FC Shkupit dhe trajnerin e tyre Sedlloski, i cili sipas planifikimit, ju dha hapësirë edhe disa prej futbollistëve të rinj për tu inkuadruar në lojë, përfshirë këtu edhe Anid Abazin e Omer Sulejmanin, por edhe Sandej Adentunxhin, i cili njëherit shënoi edhe golin e fitores në minutën e 66-të.
Ndeshjen e rradhës në tokën turke, FC Shkupi do ta zhvillojë me datë 26 janar kundër ukrainasve të Çernomorets Odesa. (infOSport.mk)