Omar Imeri 6 muajt e ardhshëm do të jetë pjesë e FC Shkupit, aty ku edhe kishte bërë hapat e parë të futbollit. 22-vjeçari është në pronësi të skuadrës turke të Bodrumspor, drejtuesit e së cilës skuadër janë dakorduar për ta huazuar Imerin te skuadra nga Çairi, që këtë vit pretendon për titullin e kampionit, njofton “infOSport.mk”.
Imeri në futbollin turk, më saktësisht te skuadra e Antalyaspor ishe transferuar shtatorin e vitit 2020 nga rradhët e Shkëndijës, ndërsa vetëm pas një viti të kaluar te kjo skuadër, ai u transferua te skuadra e Lligës së dytë, Bodrumspor, për të cilën këtë edicion ka luajtur në 9 ndeshje kampionale dhe në 3 ndeshje të Kupës së Turqisë.
Imeri njeh mirë futbollin tonë vendor, aty ku si pjesë e FC Shkupit dhe Shkëndijës numëron plotë 72 ndeshje dhe 16 gola, ndërsa në Superligën turke me Antalyaspor kishte regjistruar 16 paraqitje. (infOSport.mk)