Reprezentuesi i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu është prezantuar sot nga klubi gjerman, Ingolshtadt 04.
Musliu me skuadrën nga Bundesliga II ka firmosur kontratë për dy vite e gjysmë, ndërsa menjëherë pas prezantimit me fanellën e kësaj skuadre gjermane, ai ka dhënë edhe intervistën e tij të parë.
“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar për FC Ingolshtadt 04. Është diçka shumë e veçantë të jesh në gjendje të luash futboll në Gjermani, një vatër futbolli. Përshtypjet e para nga klubi dhe bisedimet me drejtuesit e saj ishin shumë pozitive. Tashmë mezi pres të njoh skuadrën dhe të jap gjithçka nga vetja në mënyrë që së bashku të përballojmë sfidën aktuale në mënyrën më të mirë të mundshme” – u shpreh Visar Musliu pas prezantimit të tij me fanellën e Ingollshtadt.
Fjalë të mira për mbrojtësin shqiptarë nga Gostivari foli edhe menaxheri i skuadrës gjermane, Malte Metzelder.
“Ne jemi të kënaqur që me Visarin kemi qenë në gjendje të tërheqim një mbrojtës me përvojë të madhe në klubin tonë. Ai mund të luaj në të dyja anët si qendërmbrojtës dhe ka një shpejtësi të mirë. Me qartësinë e tij me topin, ndërhyrjet e tij pa kompromis dhe mentalitetin që ka, ai do të përforcojë mbrojtjen tonë. Ai si një futbollistë titullarë ka luajtur një rol të madh në paraqitjet pozitive të ekipeve të tij vitet e fundit, si në ligën hungareze ashtu edhe në kombëtaren e Maqedonisë së Veriut”.
Është kjo një eksperiencë krejtësisht ndryshe për Musliun, i cili me Ingollshtadt do të ketë për mision mbijetesën në Bundesliga II.
Kujtojmë Musliu së fundmi ishte pjesë e skuadrës hungareze të MOL Fehervar, ndërsa sa i përket kampionatit tonë vendor, i nëjti kishte luajtur me skuadrat më të mira, Shkëndijën, Vardarin dhe Renovën. (infOSport.mk)