Shkëndija sot në Antalia të Turqisë zhvilloi edhe ndeshjen e dytë kontrolluese, këtë herë ndaj polakëve të Piast Gliwice, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra kampione e vendit zhvilloi një super ndeshje që nga fillimi e deri në fund, pavarësisht zëvendësimeve të bëra në fillimin e pjesës së dytë nga ana e trajnerit Bruno Akrapoviç, i cili tashmë mund të jetë më i qetë kur ka parasysh emrat që i ka në disponim edhe në bankën rezervë.
Golin e parë Shkëndija e realizoi në minutën e 17-të me anë të kapitenit Egzon Bejtullai. Nafiu dhe Doriev mjaft bukur kombinuan nga ana e majtë, pas një rivënie këndore, ndërsa këtë më së miri e shfrytëzoi kapiteni i “kuqezinjëve” që me kokë shënoi për 1:0.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta rezultoi shumë më efikase pavarësisht erës së fortë që fryente dhe që në disa raste ju pengonte aktirëve në fushën e blertë.
Pas një aksioni të gjatë, ku rolin e saj e luante edhe era e fuqishme, Nafiu mjaft mirë depërtoi në zonën kundërshtare, ndërsa edhe më mirë harkoi në shtyllën e dytë për Zija Merxhanin, i cili me kokë shënoi për 2:0.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 55-të, ndërsa në të 74-tën, skuadra e Piast Gliwice arriti të shënojë golin e parë në rrjetën e “kuqezinjëve”, me autorë Reiner.
Megjithatë nuk vonoi shumë dhe në minutën e 79-të regjistruam aksionin dhe golin më të bukur të ndeshjes. Futbollistët e Shkëndijës nisën një aksion që nga 16-të metërshi i tyre, ndërsa pas disa kombinimeve precize, topi arriti pranë mesfushës deri te Florent Ramadani, i cili me një pasim të shkëlqyer, në stilin e Zinedin Zidane pasoi për Dashmir Elezin, që pasi tejkaloi edhe portierin kundërshtarë shënoi në rrjetën e polakëve për rezultat 3:1.
Këtu nuk ishte edhe fundi i golave të shënuar, pasi në minutën e 84-të pas një solo aksioni të Dashmir Elezit, braziliani Mensalao u ndal në mënyrë të palejuar në zonën kundërshtare, me ç’rast arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë.
Pas disa konsultimeve edhe me trajnerin, përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri, Elezi, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Shkëndijën.
Kutjojmë në ndeshjen e parë të zhvilluar 4 ditë më parë, Shkëndija barazoi 2:2 ndaj skuadrës hungareze të Siofok. (infOSport.mk)