Izair Emini me 8 golat e tij në vjeshtë, e mbi të gjitha me paraqitjet në fushën e blertë, rezultoi të jetë një lider i padiskutueshëm i skuadrës së Voska Sport nga Ohri në sezonin e tyre debutues në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Emini bashkë me pjesën tjetër të skuadrës bënë edhe më shumë se ç’pritej ndoshta nga ata, ndërsa më së miri për këtë flet edhe vendi i dytë pas 15 xhirove të para. Megjithatë ish futbollisti i Shkëndijës dhe Renovës dhe shumë skuadrave tjera shqiptare në Shqipëri e Kosovë, thotë se Voska Sport do të duhet të mbajë këtë ritëm dhe këtë dëshirë, që edhe pas përfundimit të sezonit aktual të renditen në dy pozitat e para, përmes të cilave do të kërkojnë inkuadrimin në Ligën e Parë.
“Ne do përgatitemi fort dhe do mundohemi që të mbajmë këtë ritëm që kemi pas deri tash. Edhe me përforcimet e reja që na kanë ardhur, shpresoj që të jemi në rrugën e duhur. Ne si klub që nga presidenti Nefi Useini, e deri te i fundit te Voska Sport, e kemi vetëm një objektiv, e ai është inkuadrimi në ligën e parë të Maqedonisë së Veriut, qoftë ajo përmes ndeshjes së balotazhit, apo edhe përmes vendit të parë. Kjo ka pak rëndësi, me rëndësi është që në fund të arrijmë qëllimin tonë” – është shprehur Izair Emini për faqen zyrtare të klubit shqiptarë nga Ohri, ku gjithashtu ka folur edhe për rrjedhën e përgatitjeve si dhe për përforcimet e reja gjatë kësaj merkatoje.
Kujtojmë drejtuesit e skuadrës së Voska Sport, me në krye presidentin Nefi Useini, deri më tani kanë sjellë emra të ligës së parë në skuadër, si Argjent Gafuri, Altin Lloga, Darko Razmoski, apo edhe portierin Dejan Siljanovski. (infOSport.mk)