Bilali tregon pse zgjodhi pikërisht Meszokovesd dhe kampionatin hungarez

Amir Bilali prej sot edhe zyrtarisht është një futbollistë i ri i skuadrës hungareze të Meszokovesd Zsory. Mbrojtësi me origjinë nga Gostivari te kjo skuadër erdhi nga rradhët e skuadrës rumune të Academica Clinceni, pjesë e së cilës ishte nga gushti i vitit 2020, kur ishte transferuar nga rradhët e skuadrës së Partizanit nga Tirana, njofton “infOSport.mk”.

Në adresë të Bilalit përveç ofertës nga Hungaria, kishte pasur edhe oferta nga Turqia dhe Norvegjia, mirëpo i njëjti në fund kishte pranuar atë të skuadrës së Meszokovesd Zsory, që garon në elitën e futbollit hungarez.

“Të them të drejtën kisha oferta edhe nga Turqia dhe Norvegjia, megjithatë drejtuesit e Meszokovesd më ofruan kushtet që dëshiroja. Ata ishin shumë të interesuar për transferimin tim, kështu që vendosa të vazhdojë karrierën time këtu në një ambient shumë serioz. Jam shumë i lumtur, ashtu që tashmë jam i përqëndruar për të dhënë më të mirën këtu ku jam” – tha enkas për “infOSport.mk”, Amir Bilali, i cili te skuadra e tij e re do të luaj bashkë me ish futbollistin e Shkëndijës, Kamer Qaka. (infOSport.mk)

Leave a Reply