FC Struga Trim Lum përmes faqes së saj zyrtare ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me dy lojtarë, njofton “infOSport.mk”.
Fjala është për sulmuesin Dejan Cvetanoskin dhe portierin Urosh Djuriç. Që të dy te Struga Trim Lum kishin ardhur nga rradhët e Renovës, ndërsa pas disa viteve të kaluara te skuadra strugane, ata vendosën ti ndajnë rrugët me këtë skuadër, edhe atë me marrëveshje të dyanshme.
Cvetanoski skuadrës së Struga Trim Lum i ishte bashkuar verën e vitit 2018-të, duke regjistruar 47 ndeshje, 6 gola dhe 6 asiste, ndërkohë Djuriç kishte arritur verën e vitit 2019-të dhe i njëjti portën e ekipit strugan e kishte mbrojtur në 51 ndeshje.
Kujtojmë më herët nga Struga Trim Lum ishte larguar edhe Florent Osmani, të cilit i kishte skaduar kontrata si dhe Klisman Cake, i cili u transferua te Shkëndija e Tetovës.
Sa u përket përforcimeve të reja, deri më tani Struga Trim Lum ka angazhuar dy mbrojtësit, Darko Ilieski dhe Tome Kitanovski, si dhe sulmuesin Pa Omar Xhobe, i cili do luaj në formë huazimi nga rradhët e Shkëndijës. (infOSport.mk)