S.O.S Vita fituese e turneut të tretë tradicional “Juventus Serava”

Mbrëmë në palestrën “Enver Idrizi” në Shkup u zhvillua finalja e madhe e turneut tradicional në futboll të vogël, “Juventus Serava”.

Në mesin e 28 ekipeve pjesëmarrëse në finalen e madhe luajtën Shoqata e personave me nevoja të veçanta “S.O.S Vita” – Shkup dhe Shkëndija e Haraçinës, njofton “infOSport.mk”.

Këto dy skuadra treguan më së shumti gjatë gjithë këtij turneu, ndërsa vlen të theksohet se në mesin e dy ekipeve kishte plotë 14 reprezentues, nga përfaqësueset si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

E gjithë kjo tregon për vlerën dhe cilësinë e këtij turneu, të cilën mbrëmë e ndoqën rreth 500 spektatorë, edhe pse lirisht mund të thuhet se po të kishte kapacitet më të madh palestra “Enver Idrizi”, të njëjtën do e ndiqnin edhe shumë më shumë spektatorë.

E pse jo, kur të pranishmit në palestër patën mundësinë të shohin magjitë e lojtarëve si Rexhep Sulejmani, Halim Selmanaj, Ismet Ceka, Erkan Seferi, Eljesa Neziri, Berat Ramadani, Getart Hyseni, Burak Memedi, Shefki Berisha në njërën anë, dhe në anën tjetër të lojtarëve si Jeton Rukovci, Ramadan Alaj, Melos Kelmendi, Magjara, Bajram Ramadani, e Narcist Alibegu.

Vërtetë emra të mëdhenj këto që peshojnë në futsalin e Ballkanit, por edhe më gjërë. Ndërkohë sa i përket rezultatit përfundimtarë dhe fituesit të këtij turneu, i njëjti foli për skuadrën e S.O.S Vita, që në fund shënoi fitore 4:1.

Ismet Ceka realizoi dy gola në këtë përballje, derisa nga një gol realizuan Halim Selmanaj dhe Getart Hyseni. Në anën tjetër golin e vetëm për skuadrën e Shkëndijës nga Haraçina e realizoi Jeton Rukovci.

Ekipi fitues përveç Kupës, nga organizatori “Juventus Serava” fitoi edhe një çek në vlerë prej 70 mijë denarëve, ndërsa ekipi i vendit të dytë, morri një shpërblim në vlerën e 30 mijë denarëve.

Përveç çmimeve kryesore, organizatorët e këtij turneu gjithashtu ndanë edhe shumë çmime të tjera. Në bashkëpunim me sponzorin gjeneral Homax dhe Car Wash “Reet” në mes pjesëve u ndanë dy vauçerë në vlerë prej 3000 denarëve për dy shikuesit më me fat, si dhe 30 bileta për larjen e veturave.

 

Gjithashtu organizatori ndau mirënjohje për disa nga sponzorët që qëndruan pas këtij turneu, përfshirë këtu edhe Komunën e Çairit, si dhe çmimet për portierin, golashënuesin dhe lojtarin më të mirë të turneut.

Si portier më i mirë, u zgjodh Bajram Ramadani nga ekipi nënkampion i Shkëndijës së Haraçinës, Berat Ramadani nga ekipi i “S.O.S Vita”me 6 gola të shënuar u zgjodh si golashënuesi më i mirë, derisa çmimi i lojtarit më të mirë të turneut i takoi Erkan Shabanit nga rradhët e ekipit fitues të turneut.

Ky i fundit mungoi në ndeshjen finale, pasi i njëjti kishte pësuar një dëmtim paksa më të rëndë në pjesën e poshtme të nofullës në ndeshjen çerekfinale kundër  LEA-J, ndërsa në mungesë të tij, çmimin e morri vëllai i tij, Furkan Shabani, gjithashtu një lojtar profesionist i futsalit, që mbron ngjyrat e Juventus Seravës. (infOSport.mk)

Leave a Reply