Eraldo Çinari vishet “kuqezi”

Shkëndija vazhdon të transferojë emra cilësor në skuadër, teksa së fundmi siç mëson “infOSport.mk”, ai do të jetë Eraldo Çinari, të cilin “kuqezinjtë” nga Tetova e kishin provuar ta transferojnë edhe verën e vitit 2020, mirëpo pa sukses.

Megjithatë ndryshe qëndrojnë tanimë gjërat, kjo pasi Çinari nuk ka arritur që ti përsëris ato paraqitje me Partizanin edhe me skuadrën turke të Samsunspor, te e cila u transferua gjate verës së vitit të kaluar.

Çinari në 9 ndeshje kampionale me Samsunspor në Ligën e Parë turke nuk ka arritur të gjejë asnjë gol, ndërsa një gjë të tillë kishte bërë vetëm në ndeshjet e Kupës, ku kishte realizuar një gol nga dy takime.

Vetëm 3 ndeshje si titullar dhe 260 minuta të kaluara në fushë, janë statistika këto që nuk kanë bindur drejtuesit e Samsunspor, që janë gati për të hyrë në bisedime me drejuesit e Shkëndijës, qoftë për ta huazuar Çinarin, apo edhe  për të shitur kartonin e tij.

Mbetet të shihet se si do dakordohen palët, me Shkëndijën që me çdo kusht po kërkon një sulmues krahu.

Ndër dëshirat e “kuqezinjëve” ishin edhe Odise Roshi dhe Kristal  Abazaj, dy futbollistë tjerë nga Shqipëria që gjithashtu luajnë në Ligën e Parë turke.

Si duket te Roshi nuk ka kryer punë as ndërmjetësimi i Lorik Canës, derisa sa i përket Abazajt, ky i fundit ende nuk është rikuperuar plotësisht, ashtu që me shumë gjasa Eraldo Çinari do të dalë e treta e vërteta dhe shumë shpejtë do të veshë fanellën “kuqezi”.

Kujtojmë Çinari para se të transferohej në Turqi, mbronte ngjyrat e Partizanit, për të cilën skuadër në 88 ndeshje kishte realizuar 29 gola, derisa gjithashtu si një shkodran i lindur kishte luajtur edhe me Vllazninë, edhe atë në 116 ndeshje, duke bërë 18 gola. (infOSport.mk)

Leave a Reply