Real Madrid ka siguruar një vend për në finalen e SuperKupës së Spanjës që po zhvillohet në Arabinë Saudite. Në gjysmëfinale Reali mundi rivalin e përjetshëm Barcelonën, edhe atë vetëm pas kohës shtesë (2:3), pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me barazimin 2:2.
Madrilenët dominuan pjesën e parë dhe kaluan të parët në avantazh me anë të Vinicius, por para fundit të pjesës së parë, Luk De Jong barazoi shifrat duke konfirmuar formën e mirë që po kalon me fanellën “blaugrana”.
Pavarësisht freskimit që i bëri skuadrës Çavi në pjesën e dytë, ishte Reali më ngulmues dhe goditi përsëri me anë të Benzemas.
“Katalunasit” u hodhën të gjithë në sulm dhe kërkuan barazimin, të cilin e gjetën me Ansu Fati, i cili ia doli të mposhtë Kurtua me një goditje me kokë.
Kështu, për fituesin e ndeshjes u deshën kohët shtesë dhe aty Reali vuri menjëherë gjithçka në rrjedhën e duhur me golin e Valverdes në minutën e 98-të.
Barcelona rrezikoi, por nuk arriti të barazonte deri në fund të 120 minuutëshit, duke u përshëndetur kështu nga SuperKupa dhe duke regjistruar humbjen e 5 rradhazi në ndeshjet “El Clasico”.