Filipe Kutinjo i ka kompletuar ekzaminimet mjekësore te Aston Villa dhe do të jetë i gatshëm të luajë kundër Mançester Junajtedit në ndeshjen e së shtunës, e vlefshme për javën e 22-të në Premierligë.
Braziliani aktualisht ndodhet në Francë për rregullimin e dokumentacionit për leje pune dhe të mërkurën pritet t’i bashkohet skuadrës dhe të zhvillojë seancën e parë stërvitore.
Kujtojmë që Kutinjo ka arritur marrëveshje huazimi nga Barcelona, ndërsa klubi anglez e ka opsionin e blerjes për 33 milionë ssterlina (39.5 milionë euro) në fund të sezonit.
Trajneri Stiven Zherard ka thënë se lojtari është në prag të finalizimit të dokumenteve të emigracionit dhe do të bashkohet me pjesën tjetër të ekipit.
Edhe në një njoftim në faqen zyrtare të Aston Villas thuhet se lojtari tashmë i ka kompletuar testet mjekësore. Ai mungoi në ndeshjen e FA Kupës kundër “Djajve të Kuq” mbrëmë, por i njëjti pritet të luajë në takimin e fundjavës në Premierligë.