Në Francë jo të gjithë e duan sulmuesin e PSZh-së, Kylian Mbappé. Futbollisti i përfaqësueses franceze ka marrë një kërcënim me vdekje në vendlindjen e tij, raporton “Le Parisien”.
Murali që ai ka në Bondy, qytetin në periferi të Parisit ku është rritur dhe stërvitur si lojtar, ka pësuar një grafit në të cilin shihet mesazhi “Mbappé, ti ke vdekur”.
Sylvine Thomassin, e cila kandidon për postin e kryebashkiakut të Bondy-t, në fund të muajit ka marrë ofendime të rënda për vetë muralin. Ajo është kritikuar ashpër për shfaqjen e saj në publik me Kylian Mbappénë. Kundërshtarët e saj e konsiderojnë si lëvizje “instrumentalizimi politik”.
“Këto metoda, përveçse janë frikacake dhe mediokre, janë një sulm i ri ndaj demokracisë dhe demonstrojnë klimën e neveritshme që kundërshtarët e mi kanë ruajtur për muaj të tërë. Ky mural ishte një simbol madhështor, një thirrje për të besuar në ëndrrat e dikujt. Sot është edhe ky mesazh shprese që është dëmtuar”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Thomassin në rrjetet sociale si reagim ndaj grafiteve.