Armando Broja e nis vitin 2022 me gol. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e nisi si titullar sfidën e sontme ndaj Brentford, e para për këtë vit për Brojën me ekipin e Sauthempton dhe e ka nisur me këmbë të mbarë.
Sulmuesi kuqezi dërgoi topin në rrjetë në minutën e 49-të, duke shënuar golin e tretë për Sauthemptonin, që në ato momente po udhëhiqte me shifrat 3:1 ndaj Brentford.
Deri në fund të takimit skuadra e Sauthempton shënoi edhe golin e katërt me anë të Adams në minutën e 70-të.
Broja është kthyer tashmë në një titullar të padiskutueshëm te Sauthemptoni dhe gjithmonë ka me vete mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozave vendas.
Pak ditë më parë Sauthemptoni ndërroi pronar, në krye të klubit ka ardhur një biznesmen serb dhe direkt kërkesa e parë e tifozëve ishte blerja e Brojës.
Por, kjo është e vështirë të ndodhë, pasi Chelsea vështirë të heq dorë nga një sulmues me shumë potencial dhe të ardhme si Broja dhe e sheh atë si pjesë e të ardhmes së ekipit.
Kjo ishte ndeshja e parë për këtë vit të ri për Armando Brojën, dhe goli ndaj Brentford ishte i 5-ti në Premierligë, pas atyre ndaj Kristal Pallas, Brajton, Bërnli dhe Lids Junajted.
Me këtë fitore të thellë Sauthemptoni arriti në kuotën e 24 pikëve, duke u renditur aktualisht në pozitën e 11-të, derisa Brentford me një pikë më pak tshmë pozicionohet në vendin e 13-të. (infOSport.mk)