“Mendoj se Shkëndija e ka skuadrën më cilësore në Ligë” – tha Klisman Cake pas prezantimit të tij me fanellën e Shkëndijës. 22-vjeçari me origjinë nga Pogradeci i Shqipërisë me Shkëndijën nënshkroi kontratë në kohëzgjatje prej 3 viteve e gjysmë, ndërsa pritet të përforcojë dukshëm repartin e mbrojtjes të “kuqezinjëve”, edhe pse i njëjti shumë mirë e luan edhe rolin e mesfushorit të fundit.
“Mendoj se Shkëndija e ka skuadrën më cilësore në ligë dhe unë jam tepër i lumtur që do të jem pjesë e kësaj skuadre. Shkëndija si kampion i shumëfishtë i Maqedonisë së Veriut është skuadër tërheqëse për shumë futbollistë. Dhe si kampion aktual që është, normalisht se ka ambicie që edhe këtë vit të shpallet kampion. Unë ju premtoj tifozëve dhe klubit se do të jap maksimumin në fanellën e Shkëndijës dhe shpresoj se së bashku do të festojmë shumë tituj”, – deklaroi Klisman Cake.
Ai tha se Shkëndijën e njeh që para se të pranonte ofertën e Struga Trim Lum verën e vitit 2019-të për të luajtur në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
“Ka dy vite e gjysmë që luaj në kampionatin e Maqedonisë së Veriut dhe ekipin e Shkëndijës e njoh mjaft mirë. Por Shkëndijën e kam ndjekur qysh kur luaja në Shqipëri, pasi që Shkëndija për çdo vit kishte paraqitje të mira në garat evropiane, duke arritur disa vite radhazi deri në play off” – u shpreh Cake, i cili në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut numëron gjithsej 63 ndeshje, ku ka regjistruar edhe 7 gola dhe 3 asistime. (infOSport.mk)