Pas Agim Zekës, i cili ditë më parë me koncensus ndërpreu bashkëpunimin me skuadrën kosovare të Dritës, është edhe Erjon Vucaj, i cili ka vendosur që edhe përfundimisht pas gati 4 viteve të largohet nga skuadra gjilanase, përcjellë “infOSport.mk”.
Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi gjilanas përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
Vucaj u transferua te skuadra bardhekaltër në vitin 2018-të, ku ka arritur të paraqitet në 103 ndeshje kampionale, 6 ndeshje të Kupës, 1 ndeshje në Superkupën e Kosovës dhe 7 ndeshje në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar edhe 5 gola dhe 6 asistime.
Vucaj kishte refuzuar ofertën e Prishtinës para dy viteve, për të vazhduar me bardhekaltërit edhe për dy vite të tjera, por siç duket rikthimi i tij në Kategorinë Superiore është i pashmangshëm, me Partizanin dhe Vllazninë e Shkodrës që po luftojnë për të fituar shërbimet e tij.