Pushimet e klubeve të Ligës së Parë, por edhe atyre të Ligës së Dytë në futboll po shkojnë drejt fundit.
E puna e madhe që i pret në stinorin pranveror për t’i përmbushur objektivat i bën ata që të nisin përgatitjet shumë më herët, raporton “infOSport.mk”.
Kështu që nesër Voska Sport do të nis “misionin” e pranverës, e që është ngushtë i lidhur me Ligën e Parë, njëherit synimi kryesor i drejtuesve të kësaj skuadre simpatike.
Edhe pse në rolin e debutuesit, skuadra e Voska Sport shkëlqeu në Konferencën e Perëndimit duke treguar paraqitje shumë të mira, që në fund u kurorëzuan me 10 fitore, 2 barazime dhe 3 disfata nga gjithsej 15 ndeshje.
Kjo ka rritur apetitet e skuadrës nga Ohri, që pas vetes ka një sponzor të fuqishëm në emrin e Nefi Useinit, i cili mundohet që t’ua plotësojë të gjitha kushtet futbollistëve.
Pikërisht falë financave stabile, Voska Sport i dha një ngjyrë ndryshe Konferencës së Perëndimit, aty ku garojnë edhe dy skuadrat e njohura, Sileksi dhe Vadari, që së bashku peshojnë 14 tituj kampion.
Në mesin e këtyre dy skuadrave që kanë lënë gjurmë në futbollin vendor, Voska Sport i’a doli të jetë në mes tyre, pasi në fund të stinorit vjeshtorë, rendtitja doli të jetë kjo, Sileksi i pari me 41 pikë, Voska Sport e dyta me 32 pikë, duke lënë pas vetes skuadrën me më shumë trofe në vend. Vardarin, që numëron 29 pikë.
Në pranverë na presin edhe 12 xhiro, apo më mirë thënë 12 ndeshje finale për Voska Sport dhe Vardarin, që duhet të gabojnë më së paku nëse dëshirojnë të paktën të arrijnë atë pozitë të dytë dhe përmes balotazhit të shpresojnë për inkuadrim në mesin e më të mirëve në futbollin vendor. (infOSport.mk)