Makedonija GJ.P nisi përgatitjet, flet trajneri Muharem Bajrami

Makedonija GJ.P sot edhe zyrtarisht ka nisur fazën e përgatitjeve për gjysmëstinorin pranveror në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Në stërvitjen e parë të thirrur nga trajneri Muharem Bajrami, munguan disa prej futbollistëve të huaj, që skuadrës pritet ti bashkohen ditëve në vijim.

Ndryshe Makedonija GJ.P deri më datë 19 janar do të përgatitet në Shkup, ndërsa një ditë më vonë ata do të udhëtojnë për në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra do të mbush bateritë për pjesën pranverore, e ku gjithashtu do të tentojë të fitojë edhe trofeun e Kupës.

“Sot edhe zyrtarisht filluam përgatitjet për pjesën pranverore. Skuadra deri me 19 janar do të bëjë nga dy stërvitje në ditë në Shkup, ndërsa nga data 20 janar do përgatitemi në Antalia të Turqisë, aty ku edhe do të jetë fokusi ynë kryesor, kur janë në pyetje ndeshjet kontrolluese, por edhe forma e futbollistëve tek të cilët do të mbështetemi” – u shpreh trajneri Muharem Bajrami, i cili foli edhe për përforcimet eventuale të skuadrës së tij gjatë merkatos së janarit.

“Nuk do të ketë shumë ndryshime në skuadër. Besoj te ky grup i lojtarëve që kam në disponim, ka shumë kualitet aty brenda, ashtu që mund të ndodh të kemi 1-2 përforcime gjatë merkatos së dimrit” – përfundoi Bajrami prononcimin e tij për “infOSport.mk”.

Kujtojmë Muharem Bajrami drejtimin e Makedonija GJ.P e morri me 18 tetor të vitit që lamë pas, duke regjistruar 5 fitore, 2 barazime dhe vetëm një disfatë në kampionat, duke u ngjitur kështu në pozitën e 6-të në renditje me 27 pikë. Me Bajramin në krye, Makedonija GJ.P gjithashtu eliminoi dy skuadrat e para në renditje FC Shkupin dhe Ak. Pandevin nga garat e Kupës, aty ku ka arritur deri në gjysmëfinale. (infOSport.mk)

Leave a Reply