Nedim Bajramit i kanë mjaftuar pak muaj në Serie A për të treguar vlerat që posedon. Driblime, gjuajtje, asiste dhe gola spektakolarë kanë qenë repertori i tij me fanellën e Empolit, duke ndihmuar këtë skuadër që të qëndrojë larg fundit të tabelës së klasifikimit pas ngjitjes në mesin e më të mirëve në futbollin italian.
Pikërisht paraqitjet e shkëlqyeshme me fanellën e skuadrës së Empolit kanë bërë që edhe skuadra të tjera të interesohen për shërbimet e tetovarit, i cili gjatë vitit 2021 plotësoi ëndërrën e tij të kahmotshme, për t’iu bashkuar kombëtares shqiptare.
Është Kaljari që ka shprehur interesim për fantazistin shqiptarë, me angazhimin e të cilit do të plotësonte dëshirën e trajnerit Valter Maxarri, i cili e pëlqen shumë futbollistin e kombëtares së Shqipërisë.
Kjo hipotezë qarkullon në mediat italiane edhe nuk ka gjetur ende përgënjeshtrimin nga Empoli, i cili në fakt duket i interesuar të realizojë një shkëmbim me Kaljarin. Portieri i Empolit, Vikario është në huazim pikërisht nga Kaljari dhe klubi sard është gati të transferojë përfundimisht lojtarin nëse merr si shkëmbim Bajramin.
Në rast se realizohet ky transferim, Nedim Bajrami do të bëhej futbollisti i dytë tetovar që do të vishte fanellën e Kaljarit, pas Agim Ibraimit.