Boksieri kosovar Robin (Haxhi) Krasniqi, ka reaguar pasi federata botërore IBO ka thënë se nuk do të ketë një rivlerësim të përballjes së dytë të tij me Dominik Boeselin.
Krasniqi u mposht 2:1 me pikë me vlerësim të gjyqtarëve, në luftën për titullin e botës në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, luftë që u mbajt në tetor të këtij viti.
Ishte lufta e dytë mes tyre, pasi të parën Krasniqi e kishte fituar me nokaut në raundin e tretë.
Krasniqi ka kontestuar rezultatin e luftës së dytë dhe madje kishte aranzhuar gjyqtarë gjermanë për të bërë një rivlerësim.
Në atë rivlerësim Krasniqi kishte dalë fitues.
Por, IBO nuk është pajtuar me hapat e ndërmarra nga Krasniqi dhe presidenti i kësaj federate, ka thënë se ekipi i Krasniqit nuk ka ndjekur hapat e federatës për ankesë dhe për IBO çështja e kësaj përballje është e mbyllur.
Por, Krasniqi ka thënë se nuk do ta lë me kaq. Ai ka thënë se do të ketë edhe meç të tretë me Boeselin dhe se do ta nokautojë atë.
“Po mundohen tash fajtorët t’i paraqesin si viktima, por nuk do t’ia dalin. Faktet flasin. Se çfarë qëndron prapa këtij ‘refuzimi’ të IBO-së, do të mësojmë gjatë procedurave të mëtutjeshme. Lufta për drejtësi do të vazhdojë.Do të ketë luftë të tretë dhe do të duhet ta fitojë atë sërish me nokaut, siç e fitova luftën e parë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.