Egnatia, skuadër kjo që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani ka gati firmën me dy futbollistët e Shkëndijës, Mevlan Murati, gjegjësisht Armend Alimi.
Ky i fundit tashmë edhe zyrtarisht është larguar nga “kuqezinjtë” e Tetovës dhe i njëjti shumë lehtë mund të vesh fanellën e skuadrës nga Rrogozhina e Shqipërisë, derisa Murati ka kontratë me Shkëndijën edhe për 6 muaj, mirëpo që i njëjti është i lirë që të bisedojë me cilën do skuadër.
Informacione të “infOSport.mk” bëjnë me dije se trajneri Zekirja Ramadani
ka bindur që të dy futbollistët për tu bërë pjesë e rrogozhinasve në vijim.
Alimi është një ish kapiten i Shkëndijës, ku për shtatë sezone radhazi ka qenë lider i ekipit.
Mesfushori i qendrës doli i lirë pak ditë më parë, por edhe pse u përfol se do të vijonte karrierën me FC Shkupin, duket se është tunduar tashmë nga oferta e klubit të Egnatias dhe për më tepër që ky ekip drejtohet nga Zekirja Ramadani.
Ndërkohë, e njëjta gjë mund të thuhet për mbrojtësin që bën disa role në prapavijë, qoftë nga krahët apo në qendër, Mevlan Murati.
Ky i fundit ka luajtur tetë vite më parë edhe me Partizanin e Tiranës, ndërsa në pesë sezonet e fundit ka veshur rregullisht fanellën e Shkëndijës.