Shkëndija është në kërkim të emrave të njohur në futbollin shqiptarë, ndërsa informacionet e fundit flasin se “kuqezinjtë” ju kanë vënë syrin dy ish reprezentuesve të Kombëtares shqiptare, Jahmir Hykës dhe Naser Alijit, transmeton “infOSport.mk”.Që të dy për momentin janë futbollistë të lirë dhe kjo ua lehtëson punën drejtuesve të Shkëndijës, që do duhej të arrinin marrëveshje vetëm me futbollistët rreth pagës së tyre mujore.
Hyka luan në rolin e një mesfushori fantazist, që “kuqezinjëve” ju mungon tashmë një kohë më të gjatë, ndërkohë Naser Aliji do mbulonte mjaft mirë krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku skuadra tetovare po ndjenë një mungesë të madhe.
33-vjeçari Hyka ka një karrierë të bujshme, teksa gjatë karrierës së tij përveç futbollit shqiptarë, ka provuar veten të luaj edhe në Gjermani (FSV Mainz 05), Norvegji (Rosenborg), Greqi (Olimpijakos, Panionios), Zvicër (FC Lucern), SHBA (San Hose), Izrael (Makabi Netanja, Ness Ziona) dhe në Kinë (Guizhou FC).
Ai gjithashtu numëron edhe 47 paraqitje dhe 2 gola të shënuar me fanellën e Kombëtares shqiptare. Një eksperiencë kjo e bukur shumë, që me siguri se do ndihmonte Shkëndijën gjatë stinorit pranveror.
Eksperiencë të madhe në futbollin europian ka edhe mbrojtësi Naser Aliji, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës hungareze të Honved.
Ndryshe kumanovari karrierën e tij e kishte nisur në Zvicër, aty ku edhe kishte krijuar identitetin e tij. Gjithçka kishte nisur me grupmoshat e reaj të Bazel, për të vijuar më pas te Arau U16, teksa verën e vitit 2013-të bëri debutimin me ekipin e parë të Baselit, drejtuesit e së cilës skuadër në fillim të vitit 2015-të e huazuan te Vaduz, e që përfundimisht verën e vitit 2016-të ta shesin atë te skuadra e njohur gjermane e Kajzerslauternit.
Pas futbollit gjerman, 27-vjeçari Aliji provoi veten edhe në Itali, duke veshur fanellën e skuadrës së Virtus Entella, ndërsa gjithashtu në karrierën e tij kishte provuar veten të luaj edhe me një ndër skuadrat më të njohura rumune, Dinamo Bukuresht.
Mbetet të shihet nëse i njëjti do të pranojë kushtet e ofruara nga drejtuesit e Shkëndijës dhe për herë të parë në karrierë të luaj në vendlindjen e tij. (infOSport.mk)