Milani është rikthyer te fitorja në Serie A, teksa sonte mundën Empolin e shqiptarëve në transfertë me shifrat 4:2, njofton “infOSport.mk”.
Mesfushori Frank Kesie kaloi miqtë në epërsi pas vetëm 12 minutave lojë, falë një asisti të Olivie Zhiru.
Gëzimi i Milanit zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi në skenë doli tetovari Nedim Bajrami, i cili në ato momente barazoi shifrat në 1:1.
Megjithatë, ishte prapë Kesie, ai i cili 3 minuta para fundit të pjesës së parë realizoi në portën e Empolit për të rikthyer epërsinë e “kuqezinjëve” në 2:1.
Milan vazhdoi me dominimin edhe në pjesën e dytë, ku arriti të shënoje edhe dy herë të tjera. Fillimisht, Alesandro Florenci realizoi gol të bukur për rezultat 1:3 në të 63-tën, derisa 6 minuta më vonë, Teo Hernandez vulosi fitoren e miqve, duke shënuar edhe golin e katërt.
Krejt çka bëri Empoli deri në fund, ishte goli i dytë i realizuar nga Pinamonti nga pika e bardhë në minutën e 84-të.
Milan me këtë fitore vazhdon ndjekjen e Interit, duke u rikthyer sërish në pozitën e dytë me 42 pikë, 3 më shumë se Napoli i vendit të tretë.
Skuadra e Spalletit në terren vendas bëri një hap fals, duke u mundur nga Specia e Rej Manajt me rezultatin minimal 1:0. Për fitoren e skuarës mike në këtë ndeshje, u përkujdes braziliani i Napolit, Huan Hesus, i cili bashkë me Rrahmanin sonte përbënte dyshen e fundit mbrojtëse të skuadrës “napolitane”.
Kujtojmë në vendin e parë vazhdon të qëndrojë Interi, skuadër kjo që vitin 2021 e mbylli me 4 pikë më shumë se Milani. Skuadra e Simone Inzaghit më herët gjatë ditës mundi Torinon me rezultatin minimal 1:0, falë golit të shënuar nga holandezi Dumfries (30’).
Fitore regjistroi edhe Lacio në transfertën ndaj Venecias (1:3), Roma barazoi 1:1 me Sampdorian, njëjtë sikurse edhe Verona dhe Fiorentina, derisa Bolonja shënoi fitore të pastërt 3:0 si mysafir kundrejt Sassuolos. (infOSport.mk)