Makedonija Gj.P nuk e nisi aspak mbarë sezonin 2021/2022 në Ligën e Parë, mirëpo falë arritjes së Muharem Bajramit në krye të kësaj skuadre, e njëjta u stabilizua dhe luajti shumë më mirë në pjesën e dytë të stinorit vjeshtorë, duke e mbyllur të njëjtin në pozitën e 6-të me 27 pikë, njofton “infOSport.mk”.
Bajrami skuadrën e Makedonija GJ.P e udhëhoqi në gjithsej 10 ndeshje, përfshirë këtu edhe dy ndeshjet e Kupës, duke regjistruar 7 fitore, dy barazime dhe vetëm një disfatë.
Gjithë këto rezultate bënë që drejtuesit e Makedonija GJ.P të përfitojnë besimin e plotë te Bajrami, i cili tashmë ka duart e lira për të zgjedhur rreth përforcimeve eventuale, rinovimeve apo edhe largimeve.
Kur jemi tek largimet, vlen të përmendet se Bajrami ka vendosur ti lirojë nga detyra sulmuesin Abu Kamara nga Liberia dhe malazezin Ballsha Banoviç.
Që të dy erdhën te Makedonija GJ.P gjatë kësaj vere, mirëpo nuk bindën aspak me kualitetin e tyre për të qenë pjesë e planeve të Bajramit edhe për stinorin pranveror. Ndërkohë në mungesë të ndonjë përforcimi të ri, drejtuesit e Makedonija GJ.P pas konsultimeve me trajnerin e tyre kryesor, Muharem Bajrami, vendosën që të vazhdojnë bashkëpunimin me dy brazilianët, Fernando dhe Mateus. (infOSport.mk)