Altin Lloga në pranverë do shënojë për Voska Sport

Altin Lloga nga janari do të veshë fanellën e Voska Sport, skuadër kjo që stinorin vjeshtorë në Ligën e Dytë – Perëndim e mbylli në pozitën e dytë, njofton “infOSport.mk”.

Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën shqiptare nga qyteti i bukur i Ohrit, duke pasur parasysh se është ky sezoni i tyre debutues në këtë rang garash. Ndërkohë pikërisht rezultatet e arritura gjatë stinorit vjeshtorë kanë shtuar ambiciet e drejtuesve të Voska Sport, që në merkaton e janarit në rradhët e tyre të sjellin futbollistë cilësorë, me të cilët do të kërkonin inkuadrimin në Ligën e Parë.

Burime të afërta me “infOSport.mk”, bëjnë me dije se Voska Sport tashmë ka bërë edhe goditjen e parë në merkato, teksa kanë arritur marrëveshje me struganin Altin Lloga.

Ky i fundit me Voska Sport do të nënshkruajë kontratë për 6 muaj, me opcion për të vazhduar të njëjtën, gjithnjë nëse skuadra siguron pjesëmarrjen në elitën e futbollit vendor.

Lloga së fundmi ishte pjesë e Besës nga Dobërdolli, ndërsa gjatë karrierës së tij të bujshme  në futbollin vendor kishte luajtur edhe me Veleshtën, Struga Trim Lum, Gostivarin dhe Pobedën.

Kujtojmë, Altin Lloga përveç futbollit vendor, ka provuar veten edhe në futbollin kosovar, duke mborjtur ngjyrat e Flamurtarit, Dukagjinit, si dhe në futbollin shqiptarë, ku kishte luajtur me Elbasanin, Laçin dhe Kamzën. (infOSport.mk)

Leave a Reply