Interi ka demoluar Salernitanën në ndeshjen e javës së 18-të në Serie A, duke vazhduar në këtë mënyrë kryesimin në renditje para rivalit lokal, Milanit, që ndeshjen e kësaj jave do ta zhvillojë të dielën, edhe atë ndaj Napolit të Amir Rrahamnit dhe Elif Elmas, që gjithashtu shihet si një ndër skuadrat pretendente për titullin e kampionit, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Simone Inzaghit shënoi fitore 5:0 në këtë transfertë të lehtë, që nisi me një gol te hershëm nga ana e Ivan Perishiq (11’). Edin Xheko ishte shumë afër golit, mirëpo ishte i pafat, ndërsa në të 33-tën, holandezi Denzel Dumfries shënoi një super gol për rezultat 2:0.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa “zikaltërit” vazhduan të dominojnë edhe në pjesën e dytë, ku realizuan 3 gola të tjerë. Vetëm pas 7 minutave lojë në këtë pjesë, Aleksis Sançez shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e ekipit vendas, për të vijuar më pas me golat e tyre edhe Lautaro Martinez (77’) dhe Roberto Galjardini (87’).
Ishte kjo fitorja e 13-të sezonale për Interin dhe e 6-ta rradhazi në Serie A, aty ku kryeson renditjen me 43 pikë, 4 më shumë se Milani i vendit të dytë.
Kujtojmë në ndeshjen e zhvilluar më herët në kuadër të javës së 18-të, Lacio me shifrat 3:1 mundi Xhenoan. (infOSport.mk)