Fantazisti shqiptar Nedim Bajrami tregohet sërish vendimtar për Empolin, teksa pasditen e sotme ka shënuar një gol spektakolar në transfertën ndaj Veronës, e vlefshme për fazën e 1/16-ave të Kupës së Italisë.
Skuadra toskane e Empolit kaloi e para në avantazh me anë të La Mantia në minutën e 15-të, ndërsa vetëm 3 minuta më pas veronezët rikthyen barazpeshën, duke shënuar me anë të Cancellierit.
Në pjesën e dytë, më saktësishtë në minutën e 66-të, arbitri akordoi një penallti me VAR për Empolin, teksa nga pika e bardhë i saktë u tregua Mancuso, i cili vetëm 4 minuta më vonë realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për toskanët.
Për të vulosur kalimin e Empolit në fazën e 1/8-ave dhe për ta bërë spektakolare mbrëmjen e sotme, mendoi tetovari Nedim Bajrami, i cili në minutën e 74-të shënoi një gol mjaft të bukur, pas një koordinimi perfekt nga jashtë zonës.
Verona tentoi të rikthehet me Iliç (86’) dhe Ragusha (88’) fare në fund, mirëpo golat e kësaj dyshe në fund vlejnë vetëm si statistikë, pasi është Empoli i shqiptarëve që kalon në fazën e 1/8-ave të finales.
E themi Empoli i shqiptarëve, pasi titullarë në takimin e sotëm përveç Nedim Bajramit, ishin edhe Samir Ujkani dhe Kristjan Asllani, derisa në stol mbeti Ardijan Ismajli. (infOSport.mk)