Është zhvilluar edhe takimi i fundit çerekfinal në kuadër të Kupës së Maqedonisë së Veriut, me ç’rast edhe zyrtarisht kemi mësuar emrin e skuadrës së fundit udhëtuese për në gjysmëfinale, njofton “infOSport.mk”.
Është Pelisteri që siguroi pjesëmarrjen i fundit në këtë fazë të garave, duke eliminuar Vardarin, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me barazim pa gola.
Hero i skuadrës vendase doli të jetë portieri Filip Trajçevski, i cili ndali dy penalti, duke sjellë shumë gëzim në mesin e tifozëve “bardhegjelbër”. Gardiani i vendasve ndali goditjet e dy futbollistëve veteran, Darko Glishiq dhe Dejan Bllazhevski, edhe atë në dy deritë e fundit, duke i mundësuar skuadrës së tij fitoren me rezultatin 3:2.
Ndryshe derbi i zhvilluar në Manastir i justifikoi pritshmëritë e tifozëve të pranishëm në stadiumin “Tumbe Kafe”, pasi futbollistët e të dyja skuadrave ju dhuruan shumë emocione, me shumë luftë dhe dëshirë për fitore si dhe shumë raste shënimi për gol.
Në fund ruleti i penaltive ju buzqëeshi futbollistëve vendas të Pelisterit, skuadër kjo që në këtë mënyrë ju bashkohet në gjysmëfinale skuadrave, si Struga Trim Lum, Makedonija GJ.P dhe Sileks. (infOSport.mk)