Shkëndija stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e tretë me 8 pikë më pak se skuadra kampione e pjesës së parë të sezonit 2021/2022, FC Shkupi, njofton “infOSport.mk”.
Që para fillimit të sezonit erdhi edhe deri te emërimi i trajnerit të ri, Bruno Akrapoviç, një emër i njohur ky për futbollin tonë vendor, duke pasur parasysh se kishte udhëhequr Shkëndijën edhe më parë (2015-2016).
Akrapoviç në postin e trajnerit zëvendësoi Ernest Gjokën, me të cilin Shkëndija vitin e kaluar u shpall kampion, ndërsa edhe pse një gjë të tillë dëshironin që të përsërisnin edhe këtë vit me strategun boshnjak në krye, një gjë e tillë duket shumë e vështirë.
8 pikët epërsi për FC Shkupin janë sinjazlizuesi i parë, mirëpo edhe atmosfera që po mbizotëron brenda kampit “kuqezi”.
Me ardhjen e Akrapoviç nga Shkëndija u largua emblema e kësaj skuadre, bomberi Besart Ibraimi, pastaj talenti Arbin Zejnullahu, mbrojtësi i krahut të majtë, Antonio Paviç, si dhe braziliani Igor.
Shumë pranë largimit ishte edhe Armend Alimi, i cili si duket do të jetë emri i parë që pritet të largohet gjatë merkatos së janarit, ndërsa bashkë me të, informacione jozyrtare për “infOSport.mk” bëjnë me dije se mund të largohen edhe Kamer Qaka, Rubin Hebaj, Mevlan Murati dhe Dashmir Elezi.
Për këtë të fundit ka interesim jashtë vendit, ndërsa sa u përket emrave të lartëpërmendur, që të gjithë të pakënaqur me minutazhin dhe hapësirat e dhëna nga trajneri Akrapoviç, i cili nëse nuk sjellë emra të denjtë për ti zëvendësuar gjithë këta super lojtar do ta ketë shumë të vështirë që të përsëris suksesin e paraardhësit të tij, Ernest Gjoka. (infOSport.mk)