Ish futbollisti i FC Shkupit, Jasin Mushe, i gjeneratës 2002, i cili 6 muajt e fundit ishte pjesë e skuadrës së Osogovës në Ligën e Dytë – Lindje, aktualisht ndodhet në prova te skuadra greke e Ksantit, aty ku aktualisht luan edhe bomberi kërçovarë, Besart Ibraimi, njofton “infOSport.mk”.
Mushe luan në pozitën e sulmuesit, ndërsa i njëjti në kohën kur FC Shkupi udhëhiqej nga Muharem Bajrami dhe Umit Karan, stërvitej me ekipin e parë.
“Jam këtu në Greqi, ku po stërvitem me ekipin e parë të Ksantit. Shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë dhe në fund të nënshkruajë me këtë skuadër. Besoj se ky do ishte një hap i madh në karrierën time si futbollistë, pasi Ksantin e shoh si trampolinë për të kaluar më pas në ndonjë skuadër më të madhe” –u shpreh enkas për “infOSport.mk” nga Greqia, Jasin Mushe.
Aktualisht Jasin Mushe është pjesë e përfaqësueses U19 të Maqedonisë, ndërsa gjithashtu ishte edhe pjesë e gjeneratave më të reja të përfaqësueses së vendit tonë.