Derbi i shumëpritur shqiptarë në Ligën e Parë midis FC Shkupit dhe Shkëndijës arsyetoi një epitet të tillë, pasi përveç futbollit të bukur, ishim dëshmitarë edhe të një atmosfere impozante që kishin krijuar tifozët vendas, edhe pse në raste tejkaluan limitet me sharjet në adresë të skuadrës tetovare, por mbi të gjitha edhe me hudhjen e shisheve plastike, për të cilat me siguri se skuadrën nga Çairi e pret ndonjë dënim nga Federata e Futbollit në vend.
Por përveç kësaj, fundi i takimit solli një episod shumë të palakmueshëm, kur një tifoz i pandërgjegjshëm iu vërsul mbrojtësit të Shkëndijës, Angelçe Timovski brenda fushës, mirëpo gjithçka përfundoi pa ndonjë tollovi më të madhe, kjo falë reagimit të Drejtorit Sportiv, Omer Bunjaku, i cili qetësoi gjithçka për ti lënë të lirë futbollistët e Shkëndijës të shkojnë drejtë dhomave të xhveshjes.
Marrë në përgjithësi, ky derbi që u mbyll me barazim 1:1, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë, morri një notë të madhe sa u përket aktorëve në fushën e blertë, pasi që të gjithë treguan një profesionalizëm të madh, por edhe pak më shumë grindë, që megjithatë ishte në suaza të se lejuarës.
Kujtojmë me barazim, mirëpo pa gola ishte mbyllur edhe takimi i parë i këtij sezoni të zhvilluar në Tetovë, ndërsa shpresojmë se takimi i tretë, diku në pranverë, do na sjellë fituesin. Deri atëherë Sedlloski dhe Akrapoviç së bashku me drejtuesit e tyre do të tentojnë të bëjnë më të mirën gjatë pauzës dimërore, që nis pas dielës së ardhshme, kur në program janë edhe ndeshjet e xhiros së 18-të dhe të fundit në kuadër të stinorit vjeshtorë. (infOSport.mk)