Voska Sport ka vazhduar me rezultatet pozitive në Ligën e Dytë – Perëndim, teksa sot në kuadër të javës së 14-të mundën Veleshtën në transfertë me shifrat 2:1, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo fitorja e 9-të sezonale për skuadrën shqiptare nga Ohri, që në këtë mënyrë vazhdon rrugëtimin me hapa të sigurtë drejt Ligës së Parë.
Edhe në këtë ndeshje te Voska Sport nuk mungoi goli i veteranit Izair Eminit, i cili shënoi vetëm pas 11 minutave lojë. Ishte ky goli i 8-të sezonal për ish futbollistin e Shkëndijës, i cili thjeshtë është violina e parë e skuadrës së Voska Sport, që pas 14 xhirove të kaluara renditet në pozitën e dytë me 29 pikë, 3 më shumë se Vardari i vendit të tretë.
Përveç Eminit, përballë Veleshtës realizoi edhe Naum Veljanovski në minutën e 69-të, ndërsa golin e nderit për ekipin e Veleshtës e realizoi Ermin Anrushi në minutën e 82-të.
Ndeshjen e rradhës dhe të fundit për stinorin vjeshtorë, Voska Sport do ta zhvillojë kundër Besës së Dobërdollit në Ohër me datë 11 dhjetor. (infOSport.mk)