Milani të martën do të luajë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, teksa në “San Siro” do të mirëprte Liverpullin në ndeshjen e fundit të Grupit B në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Një motivim më shumë për Ibrën me shokë që ta mbyllin me dinjitet rrugëtimin e këtij edicioni në ligën më prestigjioze europiane në nivel klubesh. Përetj kësaj ndeshje, suedezi synon një tjetër arritje.
Në moshën 40 vjeçare Ibrahimoviç ka surprizuar të gjithë me paraqitjet e tij në fushën e blertë. Ai po vazhdon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme, derisa në ndeshjen kundër Liverpullit, Ibra mund të shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve.
Sipas prestigjiozes italiane, “Corriere dello Sport”, nëse suedezi shënon kundër anglezëve, atëherë do të bëhet futbollisti më i vjetër që shënon në këtë kompeticion.
Rekordin e mban legjenda e Romës, Françesko Toti, i cili në moshën 38 vjeç e 59 ditësh, kishte shënuar kundër CSKA Moskës në vitin 2014.
Ibra njihet si një person që i bën ballë çdo sfide dhe mundësia për t’i dhënë kualifikimin Milanit me golin e tij, i jep një shtysë më tepër.