Artan Grubi uron FC Shkupin për titullin kampion vjeshtorë

FC Shkupi me fitoren e djeshme ndaj Skopjes 1:3 në lagjen e Hekuranës dëshmoi superioritetin që ka për momentin, me ç’rast dy xhiro para fundit të stinorit vjeshtorë, siguroi epitetin e kampionit, që i kishte munguar shumë vite, njofton “infOSport.mk”.

Pas 16 xhirove të kaluara, FC Shkupi numëron 38 pikë, 6 më shumë se Akademia Pandevi i vendit të dytë, që barazoi pa gola në shtëpi përballë Bregallnicës. Kësisoj skuadra nga Çairi siguroi titullin kampion vjeshte që të dielën, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo skuadër do mbroj të njëjtin edhe në pranverë.

Urimi i parë në adresë të FC Shkupit, ka ardhur nga Zv.Kryeministri i parë i vendit, Artan Grubi, njëherit një ndër kapot e mëhershëm të grupit të tifozëve “Shvercerat”.

Pikërisht nën drejtimin e tij “Shvercerat” vitet e fundit të 90-tave dhe fillim të vitit 2000 kishin festuar 3 titujt kampion në historinë e skuadrës nga Çairi, që atë kohë bënte gara nën emrin Slloga Jugomagnat.

Si duket tashmë ka ardhur koha që Grubi të shijoj titullin e parë kampion të skuadrës së tij të zemrës me emrin FC Shkupi, që njëherit ishte edhe ideja e tij dhe ndër ata iniciatorët për këtë emër që edhe sot mban skuadra nga Çairi. (infOSport.mk)

Leave a Reply