Jasir Asani ka shkëlqyer në fitoren 5:0 të skuadrës së tij, Ksivarda ndaj skuadrës së MTK Budapest, pjesë e së cilës skuadër janë ish futbollisti i Renovës, Bojan Miovski si dhe anëtari i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, njofton “infOSport.mk”.
Që të dy ishin pjesë e MTK Budapest në këtë ndeshje, mbrojtësit e së cilës skuadër në fillim të takimit nuk kishin kundërpërgjigje për shkupjanin, Jasir Asani. Ky i fundit shënoi dy herë brenda gjysmë ore në rrjetën e portierit malazez, Milan Mijatoviç.
Golin e parë Asani e realizoi në minutën e 7-të pas një super pasimi të dyfishtë me kokë me Bumba, ndërsa golin e dytë e realizoi pas një super tjetër pasimi, këtë herë me këmbë me Mesanoviç.
Falë “dopietës” së sotme, 26-vjeçari Asani arriti në kuotën e 3 golave të shënuar këtë edicion në elitën e futbollit hungarez, aty ku skuadra e tij Ksivarda pas 14 xhirove renditet në pozitën e dytë me 27 pikë, vetëm një pikë më pak se Ferencvaroshi i Myrto Uzunit. (infOSport.mk)