Barcelona me Çavin frymon ndryshe (VIDEO)

Barcelona ka regjistruar fitoren e 6-të sezonale dhe të dytën rresht nën drejtimin e trajnerit, Çavi Hernandez, njofton “infOSport.mk”.

Pas fitores 1:0 ndaj Espanjoll, Barcelona sonte në “El Madrigal” mundi Viljarealin me shifrat 3:1. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë, Frenki De Jong kaloi në epërsi Barcelonën.

Pas këtij goli Viljareali u këndell, teksa në minutën e 76-të sulmuesi nigerian, Samuel Çukvueze barazoi shifrat në 1:1.

Megjithatë Barcelona e Çavit nuk u dorëzua dhe deri në fund të takimit arriti të shënojë madje dy gola për të siguruar 3 pikë mjaftë të rëndësishme. Memfis Depaj në minutën e 88-të shënoi golin e dytë për Barcelonën, duke kaluar sërish në epërsi skuadrën e tij, ndërkohë në minutën e katërt shtesë, braziliani Filipe Kutinjo nga penaltia shënoi edhe golin e tretë. Ishte vetë braziliani që e përfitoi këtë penalti, nga e cila doli të jetë edhe i saktë.

Pas 14 xhirove, Barcelona me 23 pikë renditet në pozitën e 7-të, ndërkohë Viljareali me 16 pikë renditet në pozitën e 12-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply